Saturday, April 13, 2013

"Shqiptarizohet" De Biasi, interes edhe për kulturën

Me rastin e mbylljes së galerisë "Thesaret e pasuritë dhe kulturës shqiptare" në Torino, e cila është hapur më 24 janar të këtij viti dhe mbyllet më 7 prill, trajneri i Kombëtares, Gianni DeBiasi, ka vendosur ta vizitojë këtë të shtunë këtë galeri. Lajmi është publikuar në faqen zyrtare të teknikut italian të ekipit tonë përfaqësues. 

I interesuar për të njohur më mirë shqiptarët dhe kulturën e tyre, De Biasi është interesuar që ta vizitojë këtë galeri, e cila tregon disa nga thesaret e çmuara të ruajtura me fantazim nga shqiptarët. Vizita e tij bëhet në të njëjtën kohë kur edhe ambasada jonë në Itali organizon një mbrëmje artistike-kulturore me temë "Vëzhgime mbi Shqipërinë". 

Galeria e hapur që në janar tregon për kulturën e popullit tonë që nga koha e ilirëve deri në shekullin e 17-të. 150 punime të ekspozuara në këtë galeri, e hapur me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, tregojnë historinë e popullit tonë ndër shekuj. Në to vihet re ndryshimi epokal që ka pësuar Shqipëria dhe ajo që bën më shumë përshtypje, është njohja e të huajve me historinë kulturore të të parëve tanë. Duke qenë se prej më shumë se një viti trajneri Gianni DeBiasi ka marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare, ai është munduar që të kuptojë gjithnjë e më shumë jo vetëm mbi të tashmen e vendit tonë, por edhe mbi të shkuarën. Kjo do t’i jepte mundësi atij që të kuptonte edhe më mirë mentalitetin e shqiptarëve. 

Në njëfarë mënyre, kjo vizitë mund të shihet edhe si respekt i De Biasit karshi Shqipërisë dhe shqiptarëve, gjë të cilët nuk e patën bërë më parë paraardhësit e tij në stolin e ekipit tonë përfaqësues.




No comments:

Post a Comment